Më 21 janar 2026, Komisioni parlamentar për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike miratoi ndryshime në Kodin Penal shqiptar. ARTICLE 19 Evropë, bashkë me partnerë të Mekanizmit të Reagimit të Shpejtë për Lirinë e Medias (MFRR) dhe të rrjetit SafeJournalists, i quajtën ndryshimet “në përgjithësi pozitive”, por kërkuan forcimin e tyre për dekriminalizimin e plotë të shpifjes.
Argumenti është i thjeshtë: sa kohë shpifja mbetet vepër penale, ajo prodhon efekt frikësues. Gazetarët, aktivistët dhe sinjalizuesit mund të heqin dorë nga një shkrim ose denoncim nga frika e proçesit penal, edhe kur të dhënat janë të sakta. Standardet ndërkombëtare të lirisë së shprehjes e nxisin trajtimin e shpifjes si çështje civile, me dëmshpërblim proporcional.
Çështja lidhet me procesin e anëtarësimit në BE, ku liria e medias është pjesë e kritereve politike. Në qershor, RSF dëshmoi para një komisioni parlamentar për gjendjen e medias dhe u takua me zyrtarë të qeverisë; Shqipëria renditet e 83-ta në indeksin e tyre.
Meridiani nuk ka verifikuar tekstin përfundimtar të ligjit të miratuar në seancë plenare dhe nuk mund të thotë nëse pozita e shpifjes në Kodin Penal ka ndryshuar. Do ta publikojmë një analizë të tekstit sapo ta kemi.